Ilir Kumbaro është dënuar në mungesë me 15 vjet burg. Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë sot vendimin për procesin që ka zgjatur më shumë se katër vjet. Kumbaro, i cili ndodhet në arrati, ka marrë këtë dënim lidhur me zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Lidhur me zhdukjen e Hoxhës, Arben Sefgjini me Avni Koldashi, janë shpallur të pafajshëm.
Aktualisht nuk dihet vendndodhja e ish-shefit të SHIK-ut, Ilir Kumbaro por deri në dhjetor të vitit të kaluar ai ishte në Britani të Madhe, ku iu arratis drejtësisë së këtij vendi pasi Gjykata e Lartë shqiptare i hapi rrugën ekstradimit të tij.
Më 21 tetor u mbushën 17 vjet nga zhdukja e biznesmenit shqiptar nga Maqedonia, Remzi Hoxha, për rrëmbimin dhe torturimin e të cilit u akuzuan të tre ish-drejtuesit të SHIK-ut. Hoxha u rrëmbye më 21 tetor 1995 dhe u torturua deri në vdekje në ish-bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës. Trupi i tij ende nuk është gjetur./Shekulli


